Presidenti i Juventusit nuk i fshehu objektivat e kampionëve të Italisë, por në një darkë të hershme të Krishtlindjes e nisi gjithçka nga e kaluara.
“Kemi bërë diçka të jashtëzakonshme dhe me këta futbollistë shkruam një faqe të legjendës. Tani e dimë që objektivat dhe horizonti ynë duhet të zgjerohen. Europa është një objektiv i yni, në krahasim me vitet e kaluara, kur e nisnim si një ëndërr”, tha presidenti i Juventusit në një referencë të qartë për Championsin.
Këtë sezon, “Zonja e vjetër” po has disi në vështirësi në Serie A, pasi Interi dhe Napoli janë pretendentë realë për titullin. Por, Andrea Agnelli vlerësoi futbollistët aktualë, ndërsa nuk mungoi as ironia ndaj Bonuccit, i larguar me bujë në merkaton e verës.
“Herë pas here shikoj pas me krenari se çfarë kemi bërë në gjithë këto vite, si dhe suksesin e 6 titujve. Por, me dashuri të madhe mendoj dhe për ata lojtarë që spostojnë ekuilibrat dhe nuk janë më. Duhet të kujtojmë edhe Leonardo Bonuccin, që ka fituar 6 tituj me Juven”, tha presidenti i bardhezinjve.
Top Channel