Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se nën urdhrat e Lulzim Bashës, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri po prish provat e veprës penale për 1 milion dollarët e përdorur si financim për Partinë Demokratike.

“I vendosur nën hetim në Shqipëri dhe jashtë saj për transferimin e paligjshëm të 1 milionë dollarëve përmes disa llogarive të dyshimta në një shtet të vogël të Amerikës Qëndrore, sot Lulzim Basha po mundohet të prishë provat e veprës penale, por dhe të shkeljes administrative të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. “Dora” e shpërdoruar e Lulzim Bashës në KQZ, Klement Zguri po mundohet t’i japë mundësi Partisë Demokratike të ndryshojë Raportin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore, të partive politike të cilat morën pjesë në Zgjedhjet e 25 Qershorit”, deklaroi Balla.

Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, përpjekja synon ndryshimin e dokumentit zyrtar, i cili thotë ai, është një ndër provat e fajësisë për pagesat dhe shpenzimet e padeklaruara të PD-së gjatë fushatës zgjedhore.

“Sipas draftit të përgatitur nga Kryetari Klement Zguri, KQZ (shumica) pritet të dalë me vendimin “meqenëse partitë politike kanë patur pasaktësi në raportet financiare të depozituara ne KQZ”, atëherë KQZ iu jep edhe 10 ditë të tjera afat për të sjellë çdo dokument që ato vlerësojnë se mungon në lidhje me të ardhura apo shpenzime gjatë periudhës zgjedhore”, thotë deputeti socialist.

Balla thotë se ky vendim është tërësisht i pabazuar në Kodin Zgjedhor.

“KQZ duhet të miratojë sot Raportin e verifikimit dhe të ndëshkojë të gjitha subjektet politike që kanë shkelur Kodin. I bëj thirrje Klement Zgurit të heqë dorë nga kjo shkelje e rëndë e ligjit dhe të mos shpërdorohet nga personi i vendosur në hetim Lulzim Basha”, mbyll reagimin e tij, Taulant Balla.

Top Channel