Ndryshimet klimatike, Papa solidarizohet me shqiptarët e përmbytur

11/12/2017 15:05

Ndryshimet klimatike ishin në qendër të fjalimit, që Papa Françesku mbajti të dielën në sheshin “Shën Pjetër” të Romës.

Ndërsa u bëri thirrje vendeve të ndërmarrin masa praktike për të minimizuar efektet e ndryshimeve klimatike, Papa i lidhi ato me motin ekstrem që përfshiu së fundmi Shqipërinë dhe Indinë. Kreu i Vatikanit shfrytëzoi rastin për t’u solidarizuar me popujt e të dyja vendeve.

“Në këtë kontekst do të doja të shprehja solidaritetin me popullin indian të prekur nga cikloni Okhi, e gjithashtu atë shqiptar që u vu seriozisht në provë nga përmbytjet e mëdha”, tha Papa Françesku.

Mesazhi i Atit të Shenjtë vjen në prag të të ashtuquajturit “Samiti i një planeti”, që do të mbahet këtë javë në Paris.

Papa tha se shpresonte që bisedimet të rezultonin të suksesshme për luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ndërsa shumë vende kanë filluar të tërhiqen në heshjte nga angazhimet e marrëveshjes së Parisit për emetimet e dioksidit të karbonit, Ati i Shenjtë e quajti “pervers” skepticizmin lidhur me ndryshimet klimatike.

Top Channel