Dekani i Filologjikut, Profesor Laçi: Tentativë për të ndryshuar rezultatin

11/12/2017 20:18

Sabri Laçi thotë se strukturat për administrimin e zgjedhjeve për dekan në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, po përpiqen të ndryshojnë rezultatin e dalë nga këto zgjedhje.

I ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, profesori tregon se ka përpjekje për të nxjerrë fletë të hedhura për të si të pavlefshme, por po vonohet edhe përllogaritja e rezultatit sipas formulës.

“Kanë nxjerrë të pavlefshme një votë të hedhur nga stafi akademik dhe të konstatuar më pas që ishte për mua, rezultoi që kjo votë ishte hedhur në një fletë votimi që nuk i përkiste trupit akademik, por studentor. Ky është një veprim i qëllimshëm. Përgjegjësia bie mbi kryetaren e KZF-së. Ky vendim është marrë pasi 7 anëtarët e KZF-së kanë shkruar e deklaruar dhe pastaj kanë firmosur të shtatë një procesverbal ku deklarojnë që vota është e vlefshme. Besoj që është një argument i mjaftueshëm ky për të kuptuar se çfarë synojnë. KZF i intereson minimizimi i votave për mua”, u shpreh ai.

Laçi thotë se po vonojnë edhe shpalljen e rezultatit duke pretenduar se po konsultohet formula.

“Formula është matematikë. Rregullorja e ka aty të qartë. Edhe një person me njohuri minimale në matematikë mund të arrijë rezultatin. Formula është zbatuar nga KZF dhe unë jam fitues me një diferencë të pakët të votave, por fitues i qartë”, vijon ai.

Profesori shpjegon edhe pse iu drejtua Ramës dhe Nikollës me letër.

“Praktikisht atyre u përket të shqetësohen siç shqetësohehmi ne për votnë e lirë. Kur tentohet të deformohet vota dhe rezultati në universitet, ky është një shqetësim për të gjithë shoqërinë dhe qeverinë, e ministrinë”, deklaroi ai.

Top Channel