Kryeministri izraelit dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan një drekë pune e më pas një takim në pallatin presidencial Elize, të dielën, në nisje të turneut evropian të Benxhamin Netanjahut.
Lideri francez i kërkoi kryeministri izraelit që t’i japë paqes një mundësi dhe ta shoqërojë këtë me një gjest kuptimplotë për palestinezët. Sipas Macron, një gjest i tillë mund të ishte ndalimi i ndërtimit të kolonive izraelite në bregun perëndimor.
Presidenti francez gjithashtu i tha Netanjahut se qëndrimi i Trump për Jeruzalemin është një kërcënim për paqen dhe se Franca është kundër tij. Nuk u duk shumë i shqetësuar nga kjo kryeministri izraelit, i cili tha se Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe sa më shpejt ta kuptojnë këtë realitet palestinezët, aq më shpejt do të ketë paqe.
Takimi i planifikuar më parë, duhej të përqendrohej mbi Iranin, por pas njohjes së Jeruzalemit nga SHBA, kjo temë mbeti në hije. Megjithatë, Netanjahu tha se nuk do të tolerojë ndërtimin e bazave ushtarake iraniane në Siri.
Pas Francës, të hënën Netanjahu do të vizitojë Brukselin. Në nisje të turneut të tij, Netanjahu tha se nuk do të pranojë standarde të dyfishta nga Evropa, që dënon Trump për njohjen e Jeruzalemit, por jo sulmet me raketa ndaj Izraelit.
Top Channel