Përmbytja varfëron; Banorët e ish-Kënetës në Durrës, ende nën ujë

09/12/2017 15:26

Pasojat e përmbytjeve të fundit nuk kanë kaluar ende, ndërsa shumë familje të periferisë së Durrësit i tremben përkeqësimit të motit që paralajmëron të tjera reshje shiu.

Brenda shtëpive të vëllezërve Asqeri dhe Ndriçim Ziba, ku jetojnë 11 fëmijë nga 2 deri në 16 vjeç, temperaturat ndjehen nën zero, për shkak të lagështisë që ka pushtuar krejt muret e zhveshura. Varfëria është shtuar nga dëmet që ka shkaktuar përmbytja, ndërsa festat e fundvitit janë në prag.

“Jam me 5 fëmijë, të voglin e kam të sëmurë. Shiu futet krejt brenda. Na kanë sjellë ushqime, vetëm ushqime. Më janë lagur të gjitha shtrojet dhe as dru për t’u ngrohur nuk kemi. Asgjë nuk kemi. Po vjen dhe viti i ri dhe nuk e di si do e kalojmë. Dy nga fëmijët shkojnë në shkollë, me këpucët ende të lagura”, shprehet një banore e zonës.

Kunata e saj në shtëpinë ngjitur ka 6 fëmijë të tjerë. Uji nuk është tërhequr ende nga oborret e mjaft shtëpive. Rrobat e tapetet e nderura nuk janë tharë ende. Orenditë shtëpiake të dëmtuara nga uji gjithashtu.

“Më është përmbyt shtëpia. Batanijet, divanet e televizori na është prishur. Kemi marrë ca ushqime, makarona dhe oriz, po kemi nevojë për batanije dhe jorganë pasi na kanë dalë jashtë përdorimit ato që kishim”, shprehet një banore e zonës.

Familjet e dëmtuara kanë marrë një sasi të vogël ndihme në ushqime, po nevojat e tyre shkojnë përtej dhe shumë prej të dëmtuarve nuk mund t’i zëvendësojnë lehtë dëmet në kushtet e vështira ekonomiko-financiare në të cilat ndodhen. Ndërsa shirat kërcënojnë sërish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA