Kaliforni, zjarret shkatërrojnë avokadon

09/12/2017 11:37

Zjarret që mundojnë Kaliforninë prej javësh, po kthehen në makth edhe për bizneset. Ekspertët e industrisë thonë se shumica e fushave të mbjella me avokado në shtetin amerikan janë shkatërruar nga zjarret pyjore të përhapura me shpejtësi në zonat jugore të tij.

“Kemi humbur qindra hektarë tokë me avokado, e mbase edhe më shumë”, thuhet në faqen bujqësore të internetit, AgNet West. Në Kaliforni rriten gati 90 për qind të të gjitha avokadove amerikane dhe kjo industri llogaritet të vlejë miliona dollarë për ekonominë vendase.

5.700 zjarrfikës janë përfshirë në betejën me flakët, por pavarësisht përpjekjeve të mëdha, situata nuk po vihet dot nën kontroll. Një vdekje është konfirmuar deri më tani, ajo e një gruaje 70-vjeçare të gjetur në makinën e saj të mërkurën.

Tre zjarrfikës janë lënduar e rreth 500 ndërtesa janë shkatërruar krejtësisht. shumë druhen tani se këto zjarre të furishme do të kenë pasoja serioze mbi industrinë e gjerë bujqësore të Kalifornisë.

Sezoni i fundit i prodhimit të avokados solli fitime që kapërcenin 400 milionë dollarët. Një pjesë e mirë e tyre rriten në ferma familjare në rajonet jugore, ndër të cilat më e prekura rezulton Konteja Ventura.

“Shumë prej atyre frutave që të gjithë mezi prisnin t’i mblidhnin, tani dergjen në tokë, tha për Reuters shefi ekzekutiv i Byrosë së Fermerëve të kësaj konteje, John Krist.

Rregullat e sigurisë ushqimore në Amerikë nuk e lejojnë shitjen e prodhimeve që kanë rënë nga pema përtokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA