Juve-Inter, në lojë është historia…

09/12/2017 12:51

Në lojë nuk janë vetëm tri pikët, nuk është vetëm vendi i parë. Në lojë “zbret” shumë më shumë se kaq. Përballë janë dy klube që kanë bërë historinë e futbollit italian dhe atij europian.

Juventusi dhe Interi do të përballen mbrëmjen e sotme në “Allianz Stadium”, në Torino në një sfidë që ende pa filluar premtohet si më e ndezura e viteve të fundit, e kjo edhe për meritë të Interit, që këtë sezon është ringritur dhe mban jo pa meritë kryesimin e tabelës.

Dy skuadrat vijnë nga fitore të rëndësishme të realizuara në javën e kaluar. Bardhezinjtë fituan 0-1 ndaj Napolit në transfertë, ndërsa zikaltërit shkatërruan 5-0 Kievon në shtëpi.

Në këtë takim, Allegri do të duhet të bëjë pa Buffon të dëmtuar dhe ta rreshtojë skuadrën në një 4-3-3 me një surprizë duke lënë jashtë Dybalan, që pritet ta nisë nga stoli.

Spalleti nga ana tjetër nuk pritet të ndryshojë shumë dhe faza sulmuese do t’i besohet Candreva-Icardi-Perisiç, të cilët po kalojnë një moment të shkëlqyer dhe ndryshime nuk priten as në mesfushë e as në mbrojtje.

Në 15 javët e para të kampionatit italian, Juventusi ka sulmin më të mirë, ndërsa Interi ndan së bashku me Romën “podiumin” e mbrojtjes më të mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA