8 Dhjetori, Meta: Dita që vrau frikën

09/12/2017 09:39

Presidenti i Republikës, Ilir Meta organizoi një pritje me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë. Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Brigadave morën pjesë ish-studentë, pedagogë dhe protagonistë të lëvizjes së dhjetorit 1990.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet Presidenti Meta tha se në historinë moderne të Shqipërisë, 8 Dhjetori 1990 përbën një ditë kthese epokale për Shqipërinë dhe për shqiptarët që vrau frikën nga diktatura komuniste dhe hapi historinë demokratike pluraliste në vend.

Presidenti u shpreh se 8 Dhjetori është një ditë nderimi për studentët e Dhjetorit ‘90 dhe veprën e tyre si edhe një ditë apeli për të gjithë të rinjtë e sotëm, që të mësojnë dhe të frymëzohen nga guximi, kurajoja dhe sakrifica e bashkë-moshatarëve të atyre të atëhershëm.

“8 Dhjetori i vitit 1990 tregoi se rinia shqiptare përbënte gjeneratën më të guximshme, më të fuqishme, më demokratike dhe më idealiste të shoqërisë. Ishin të rinjtë që shprehën me guxim e qartësi aspiratat e mbarë shoqërisë kundër diktaturës, varfërisë dhe vetë-izolimit”, tha Meta.

Top Channel