Marrëdhëniet mes bashkive të Tiranës dhe Shkupit do të jenë në një nivel të ri, duke përfituar nga eksperiencat e njëri tjetrit.
Kreu i bashkisë Erion Veliaj priti homologun e tij të Shkupit, Petre Shilegov, një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit.
“Jam shumë entuziast për faktin që kryeministri Rama dhe kryeministri Zaev kanë filluar një erë të re të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por tani e kanë radhën qytetet, ndaj edhe Shkupi, edhe Tirana do të duhet të vazhdojnë me të njëjtën energji që Rama dhe Zaev kanë filluar për shtetet tona, sepse në fund të ditës, sigurisht shefat e qeverisë kanë detyrimin që të bashkojnë kombet, ama janë qytetet aty ku lëviz jeta, ku ndodh ekonomia, tregtia, jeta kulturore dhe artistike”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se ekzistojnë shumë fusha ku të dyja bashkitë mund të kenë bashkëpunime konkrete, ndërsa njoftoi se po punohet edhe për të patur një kalendar konkret aktivitetesh.
“Mezi pres që për 2018-ën të kemi një kalendar të përbashkët mes Tiranës dhe Shkupit për shumë prej këtyre aktiviteteve. Vitin tjetër do të vizitoj Shkupin në një vizitë zyrtare dhe mezi pres, që ashtu siç tha Petre, të kemi mundësi që të mësojmë nga njëri-tjetri. Ndonjëherë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Nëse diçka është bërë më mirë në Shkup, duhet ta bëjmë ne në Tiranë dhe anasjelltas, çfarë është bërë mirë në Tiranë, mund ta japim në Shkup, në Prishtinë apo dhe në qytete të tjera”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe u shpreh se mes dy bashkive ekziston vullneti dhe dëshira për të çuar përpara bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave në të mirë të jetës së qytetarëve.
Top Channel