Të paktën 31 palestinezë janë plagosur në përleshjet në Rripin e Gazës dhe në bregun e okupuar perëndimor, gjatë protestave kundër njohjes nga ana e presidentit amerikan Donald Trump të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Një prej të lënduarve është në gjendje kritike.
Vendimi i Trump, u prit me mospëlqim në të gjithë botën dhe përmbysi dekada të tëra politike amerikane mbi këtë çështje të ndjeshme. Izraeli dislokoi me qindra trupa shtesë në bregun perëndimor, ndërsa palestinezët u derdhën nëpër rrugë duke protestuar.
Ata dogjën goma dhe qëlluan me gurë, ndërsa trupat izraelite përdorën gazin lotsjellës, plumbat e manovrave, por edhe ata të vërtetë. Një raketë e hedhur nga Rripi i Gazës shpërtheu në Izraelin jugor, ndërsa disa të tjera, sipas ushtrisë izraelite, dështuan.
Si kundërpërgjigje, një tank izraelit dhe një avion ushtarak, mori në shënjestër dy objektiva terroriste në Gaza, tha ushtria, pa dhënë detaje të mëtejshme. Shumë nga aleatët e ngushtë të Washingtonit kanë shprehur mospajtim me lëvizjen dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Lidhja Arabe do të mblidhen ditët në vijim për të vendosur për reagimin e tyre.
Ekziston frika se vendimi i Trump mund të çojë në një shpërthim të ri dhune, kjo edhe pasi grupi islamik palestinez, Hamas, ka kërkuar një intifadë të re. Lideri i Hamasit, që dominon në Rripin e Gazës, ka kërkuar për një ditë zemërimi, të premten dhe tha se kjo duhet të ishte dita e parë e intifadës kundër pushtuesit.
Ndërsa lëvizja Fatah e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, po kërkon të protestojë përmes mjeteve diplomatike dhe ka paraqitur ndërkohë një ankesë në OKB dhe në Lidhjen Arabe.
Top Channel