Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos ka çuar përsëri një mesazh edhe ndaj Tiranës, gjatë deklaratave të mirëseardhjes së homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Duke theksuar se Athina mbështet ecurinë europiane të Turqisë, pasi beson se është në dobi të popullit fqinj turk, duke u bërë porta dhe dritarja e hyrjes së saj në BE, Pavlopoulos ka theksuar se, që kjo të arrihet, duhet që edhe Turqia, ashtu si dhe Shqipëria apo ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, të zbatojnë plotësisht dhe me sinqeritet “Të drejtën ndërkombëtare dhe Legjislacionin europian”.

“Pasi e di interesin tuaj, zoti President, edhe për të ardhmen europiane të vendeve të tjera të Ballkanit, e njëjta gjë që thashë për të ardhmen e Turqisë është gjithashtu e vërtetë edhe për vendet e tjera. Greqia favorizon perspektivën europiane të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërisë, por ka gjithashtu parakushte për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe të legjislacionit europian. Emrat që fyejnë jo vetëm historinë, por rrisin irredentizmin dhe vënë në pikëpyetje kufijtë nuk janë të pranueshme në aspektin e së drejtës europiane. Po kështu, vendet që duan të jenë anëtare të BE-së duhet të respektojnë të drejtat e njeriut, të tilla si e drejta për pronën dhe të drejtat e pakicave”, tha Prokopis Pavlopoulos, president i Greqisë.

Këto janë parakushte të padiskutueshme për shtetet anëtare të BE-së, por edhe për ato kandidate për familjen europiane, nënvizoi më tej Pavlopoulos.

Top Channel