Kina pezullon ndalimin e ngrohjes me qymyr

08/12/2017 13:20

Rreziku i një krize të ngrohjes ka detyruar qeverinë kineze ta rishikojë ndalimin e përdorimit të qymyrgurit, të paktën përkohësisht.

Disave prej qyteteve veriore iu dha “drita jeshile” të djegin qymyr, edhe pse Pekini nuk e lejonte përdorimin e tij për ngrohje në dimër, me shpresën se plani ambicioz do të ndihmojë në reduktimin e ndotjes së madhe në vend.

Një re gjigante smogu është parë të mbulojë gjatë dimrave të fundit të gjithë veriun e Kinës. Por, miliona vetë thuhet të kenë mbetur pa mundësinë e një ngrohjeje të përshtatshme, duke qenë se nuk arritën të merrnin në kohë masat për të kaluar nga qymyrguri te mënyrat e tjera të të ngrohurit në stinën e ftohtë.

Ndalimi i qymyrgurit ka shkaktuar, sipas raporteve në media, edhe një mungesë të ndjeshme të gazit në treg, sepse njerëzit kanë nxitur ta sigurojnë si burim alternativ për ngrohje, e kjo ka sjellë probleme të mëdha.

Smogu i rënduar i viteve të fundit i ka shtyrë autoritetet kineze të nxjerrin disa paralajmërime të nivelit të kuq. Megjithatë, analiza që grupi ambientalist “Greenpeace” u ka bërë të dhënave satelitore dhe atyre qeveritare të cilësisë së ajrit tregon një rënie të emetimit nga djegia e qymyrit në Kinë.

Ajri në Pekin, sipas zëdhënësit Lauri Myllyvirta, ka pasur një përmirësim dramatik këtë dimër, gjë që bën që nëntori të konsiderohet deri tani si muaji më i mirë në histori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA