Jeruzalemi kryeqytet, SHBA: OKB, armiqësore ndaj Izraelit

08/12/2017 22:22

E dërguara e SHBA në OKB, Nikki Haley, ka akuzuar Kombet e Bashkuara se po dëmtojnë perspektivën e paqes mes Izraelit dhe Palestinezëve.

Organizata ka qenë në mënyrë ofenduese një nga qendrat më të flakta armiqësore në botë kundrejt Izraelit, tha ajo. Haley foli në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB, të thirrur pasi presidenti Donald Trump vendosi të lëvizte ambasadën amerikane në Jerusalem.

Vendimi sipas Haley, është thjeshtë pranim i asaj çka është e ditur për të gjithë; që Jerusalemi është kryeqytet i izraelit.

“Izraeli nuk do të jetë dhe nuk duhet të jetë kurrë i nëpërkëmbur nga marrëveshjet e OKB apo nga ndonjë grup vendesh që e kanë dëshmuar mosrespektin për sigurinë e tij”, u shpreh Nikki Haley.

Përfaqësuesi palestinez në OKB, Riyad Mansour, tha se lëvizja e Trump tregon se SHBA nuk mund të shihet më si ndërmjetësuese e paqes. ndërsa përfaqësuesi i izraelit, Danny Danon, falenderoi SHBA për atë që e quajti një arritje historike për izraelin, për paqen dhe për botën.

Më herët, kryenegociatori palestinez Saeb Erekat tha se palestinezët nuk do të bisedonin më me SHBA deri sa Trump të tërhiqte vendimin e tij. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas dhe autoriteti më i lartë mysliman sunit në botë, imami i xhamisë Al Azhar në Egjipt, thanë se nuk do të takonin zv/presidentin Pence gjatë vizitës së tij në lindjen e mesme, këtë muaj.

Një palestinez humbi jetën pasi trupat izraelite qëlluan mbi protestuesit të premten ndërsa një i dytë raportohet se është në gjendje kritike. Të paktën 217 të tjerë janë lënduar në përballjet në bregun perëndimor dhe Jerusalemin lindor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA