PD letër Ruçit: Antikushtetuese procesi për Prokurorin e ri të Përgjithshëm

07/12/2017 11:25

Partia Demokratike nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi radhit arsyet pse është antikushtetues procedura e nisur nga Kuvendi për Prokurorin e Përgjithshëm.

“Fakti i parë –Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë”, thuhet në letrën e PD-së.

Por PD shprehet se ajo nuk ka një qëndrim për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.

“Fakti i dytë – Neni 109 i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm pasi ai parashikon zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshsëm vetëm kur Prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe. Aktualisht nuk ekziston një rrethanë e tillë. Edhe nëse do të ishim në rrethanat e ndërprejes së mandatit, neni 109 për Prokurorin e Përkohshëm, përcakton se duhet të përmbushen dy kushte: 1. Kandidatët për Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm duhet të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut. 2. Kryeprokurori i Përkohshëm zgjidhet me votat e 3/5 e anëtarëve të Kuvendit”, thuhet më tej në letrën e PD.

Në përfundim, PD shprehet se duhet të merret vlerësimi/opinioni i Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e boshllëkut/ngërçit kushtetues apo ligjor. Deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues dhe ligjor apo deri në krijimin e KLP, është e pamundur që të procedohet me zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, qoftë ky edhe i përkohshëm. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP dhe neni 109 është i pazbatueshëm. Për këtë shkak PD kërkon nga mazhoranca ndërprerjen menjëherë të procedurës që ka nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

PD thotë se “Çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA