Siç edhe pritej debati për Kryeprokurorin e ri ka nisur. I ka përfunduar apo jo mandati Adriatik Llallës? Nëse Kryeprokurori i ri duhet zgjedhur i përkohshëm ose jo? Apo nëse duhet zgjedhur me 3/5, apo me shumicë të thjeshtë? Ky debat ka sjellë edhe ngërçin më të fundit në politikën shqiptare.
E për Oerd Bylykbashin, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga selia blu, deklaroi gjatë emisionit “Top Story” se 2 janë zgjidhjet që mund t’i japin fund këtij ngërçi, ose të krijohet KLP-ja, ose t’i lihet Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për mandatin e Kryeprokurorit, ose për formulën e zgjedhjes së tij.
“Ne kërkojmë zbatimin e Kushtetutës. Mandati konstatohet i përfunduar nga KLP-ja. Dhe Kryeprokurori i ri, i përkohshëm ose jo vendoset me 3/5 e votave dhe nuk lë asnjë ekuivok. Nëse mazhoranca nuk do të kishte bllokuar formimin e KLP-së, nuk do ndodheshim këtu. Mazhoranca synon që të kapë drejtësinë nëpërmjet këtij Kryeprokurori të përkohshëm të zgjedhur me shumicë të thjeshtë. Kjo tregon se Kushtetuta ka një boshllëk, ne e kemi thënë me kohë. Por në rastin konkret mazhoranca po përpiqet ta shfrytëzojë për të zgjedhur një Kryeprokuror të përkohshëm. Rama me probleme të rënda dhe dosje të nxehta kërkon të ndikojë në hetimet e këtyre çështjeve. Sot ne kemi dy dispozita kushtetuese, i pari, me të cilin është zgjedhur edhe Llalla, i përcakton 5 vite, dhe një dispozitë që i jep Kryeprokurorit të ri mandatin e 7 viteve. Zgjidhja është, të ngrihet KLP ose të vendosë Gjykata Kushtetues”, deklaroi Bylykbashi.
Analisti Arjan Vasjari tha mandati i Llallës është qartësisht i përfunduar. “Mandati nuk mund të zgjatet pasi nuk ka asnjë lloj instrumenti që mund ta krijojë këtë gjë”.
Më tej, Bylykbashi thotë më tej se ajo që përcakton kushtetuta me tre të pestat është një detyrim. “Nuk eksiton asnjë gjë e tillë që interpretime të caktuara të zëvendësojnë tekstin e Kushtetutës. Seanca plenare nuk mund të hyjë dot në këtë interpretim. Zbatimi i kushtetutës kërkon që këtë gjë të mos e bëjë Parlamenti, i cili kur i ti vijë radha ta bëjë, e kërkon me tre të pastat”.
Oerd Bylykbashi shprehet se Prokurori i Përkohshëm prokurori i përkohshëm mund të marrë vendime për të nisur hetime edhe ndaj atij që po heton dosjen “Habilaj”.
“Prokurori i Përkohshëm apo ai në detyrë ka të drejtë specifike deri në ngritjen e KLP, ai ka kompetenca kalimtare, të cilat thonë se Prokurori mund të pezullojë prokurorët sipas procedurës së përcaktuar nga ligji. Mund të hetojë shkeljet e brendshme disiplinore. Prokurori i përkohshëm mund të marrë vendime për të nisur hetime edhe ndaj atij që po heton dosjen “Habilaj”. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet një krimineli është që prokurori t’i hetojë provat keq dhe ta zvarris çështjen deri në 2 vite dhe kjo i intereson Edi Ramës. Kryeministri ka hallin të hap negociatat, ndërsa shqiptarët kanë hallin të shohin të arrestuar atë peshkun e madh”, tha Bylykbashi.
Top Channel