U duk tepër i acaruar administratori i deleguar i Milanit, Marco Fassone, teksa reporterët janë përpjekur t’i shkëpusin ndonjë deklaratë të vogël përpara se të hynte në selinë e Lega Calcio.
Sigurisht që nuk mund të ketë fjalë optimiste nga drejtuesi i lartë kuqezi.
“Mëngjesi i sotëm ka nisur me zemërim të skajshëm, teksa lexon titujt e gazetave që duket se duan të na bëjnë funeralin përpara kohe. Duket sikur vendimi është marrë. Kam shumë respekt për institucionin e UEFA-s, ndaj shpresoj të mos jetë kështu. Shpresoj gjithashtu që ata të marrin një vendim neutral, të pandikuar. Komisioni i ‘Fair Play’-t ka bërë kërkesa që objektivisht janë të pamundura, jo vetëm për Milanin. Dorëzuam dokumentet dhe shpresonim të arrinim një marrëveshje vullnetare, por do të respektojmë vendimin e tyre. Ky do të ishte një akord që do të shmangte sanksionet në një periudhë afatshkurtër. Nuk jemi optimistë, por presim me padurim shpalljen e vendimit”, tha Fassone.
Por cilët janë skenarët me të cilët mund të përballet Milani?
“Sa i përket financimit – vazhdon Fassone, – kemi një datë skadence që është fundi i vitit 2018. Kam besim të plotë se mund ta bëjmë këtë edhe në pranverë, thuajse 6 muaj më herët. Tani për tani përballemi me këtë vit tranzicioni me sforcot më të mëdha, për t’u rinisur gradualisht jo për një kohë të gjatë. Gattuso po kërkon një qasje tekniko-taktike të tijën dhe ka nevojë për kohë. Do të duhen pak ndeshje, por shpresat që rezultatet të vijnë menjëherë janë reale. Nëse mendojmë verën, do të ribëja të njëjtat blerje, edhe pse pranoj se mund të kem gabuar në një apo dy raste. Por, nga 10 lojtarë që afron, ndoshta një apo dy mund të integrohen shumë shpejt. Megjithatë ata që kemi blerë janë lojtarë të fuqishëm”.
Top Channel