Bizneset me një bilanc, nga 2018 bankat njohin vetëm atë të Tatimeve

07/12/2017 12:29

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, biznesi mund të marrë kredi vetëm mbi bazën e bilancit që dorëzon tek tatimet.

“Sot është fakt që bizneset punojnë me dy bilance. Një që deklarohet në tatimet dhe një që dorëzohet tek bankat për të marrë kredi. ne kemi marrë angazhimin që kompanive tu njihet vetëm një bilanc zyrtar që është i përputhur me pasqyrat e deklarauara në tatime”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas Qeverisë, aktualisht shumë biznese deklarojnë të ardhura të ulëta tek tatimet për të paguar më pak taksa, ndërsa në bankë paraqesin xhiro më të larta për të marrë sa më lehtë kredi. Guvernatori tha se nga mbyllja e këtij shtegu përfitojnë të gjithë.

“Kjo krijon lehtësi në veprimtarinë e kreditimit duke i dhënë qartësi të lartë bankave në analizën financiare dhe procesin e përzgjedhjes së kredimarrësve. Për bizneset dhe familjet shqiptare ky proces, nxit rritjen e transparencës, cka do të përkthehet detyrimisht në uljen e kostovë të financimit. për ekonominë në tërësi ky proces rrit qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit dhe krijon premisa për një sistem tatimor më të thjeshtë dhe për një shpëndarje më të drejtë të barrës së taksave”, deklaroi guvernatori Sejko.

Vitin e kaluar qeveria miratoi një ligj, që i jep të drejtën biznesit të korrigjojë bilancet e tre viteve të shkuara pa asnjë ndëshkim.

“Ne e thamë që në 1 janar të 2018-ës do të kemi këtë masë. Gjatë kësaj kohe i dhamë mundësi sipërmarrjes të vetëkorrigjohet pa penalitet dhe të gjitha këto janë lehtësi që ndihmojnë biznesin të formalizohet”, thotë Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA