Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho në një letër dërguar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi e quan antikushtetues shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procedurës, duke kërkuar opinionin e Këshillit të Legjislacionit.
Spaho thotë në letrën e tij se Kryetari i Kuvendit zhbën kriteret ligjore për kandidatët. Konkluzioni i parë është se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke i diktuar organeve te pavarurave zbatimin e deformuar te ligjit.
Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar institucioneve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Pëgjithshëm, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të hartojnë listat e kandidatëve për KED, duke u bazuar tek neni i Kushtetutës që përcakton masën disiplinore si kriter të vetëm për kandidatët.
Kryetari i Kuvendit ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e Janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturës.
Konkluzioni i dytë është se, proçesi i nisur nga Kryetari i Kuvendit po kryhet në boshllëk kushtetues dhe ligjor, sepse në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), po përdoret dispozita tranzitore, që kanë humbur fuqinë e tyre.
KED e Përkohshme u zgjodh në Janar 2017 sipas dispozitës kalimtare dhe kjo dispozitë nuk mund të bëhet rregull i përgjithshëm.
Konkluzioni i tretë është se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga maxhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente procesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku, aktualisht janë 3 vende vakante.
Top Channel