Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave në SHBA informoi nëpunësit e saj që kanë punuar me orë shtesë për t’u përballur me numrin rekord të katastrofave natyrore në 2017-n, se mbase do t’u duhet të kthejnë mbrapsht një pjesë të parave që kanë marrë si bonus.
Ligji federal u vendos tavan pagave speciale të nëpunësve dhe u lejon agjencive që të rimarrin paratë që kanë dhënë tepër. Për shkak të uraganeve, zjarreve dhe katastrofave të tjera të këtij viti, autoriteteve do t’u duhet ta ndërmarrin këtë hap dhe t’u kërkojnë punonjësve të kthejnë një pjesë të parave.
Një raport i Agjencisë së Emergjencave i dorëzuar më 30 nëntor thotë se fondet kanë mbaruar për shkak të orëve shtesë. Vetë nëpunësit thonë se janë të shqetësuar, pasi veç kthimit të parave, në rast të emergjencave në pjesën e mbetur të vitit, nuk do të paguhen për orët shtesë, pavarësisht punës së vështirë që bëjnë dhe kjo nuk i bën fare mirë moralit të tyre.
Megjithatë, Departamenti i Sigurisë së Brendshme ka mundësinë ligjore që të eleminojë kufirin e pagës për disa kategori nëpunësish, por në kuadër të shkurtimeve në buxhet, mbetet për t’u parë nëse do ta bëjë.
Problemi ka shkuar deri në Kongres, ku pritet të votohet rritja e tavanit për pagesën e orëve shtesë për agjentët e shërbimti sekret, një e treta e të cilëve e kanë kaluar limitin e pagës që në gusht.
Top Channel