Kritika e ashpër e Lampard: Ai “fle gjumë” gjatë ndeshjeve të Chelseat

06/12/2017 16:20

“Tiemoue Bakayoko fle gjumë gjatë ndeshjeve dhe duhet të përmirësohet ndjeshëm, nëse do të dojë të ruajë vendin e titullarit te Chelsea”. Kështu shprehet legjenda e klubit londinez, Frank Lampard.

Chelsea zbriti në vendin e dytë të grupit C në Champions League, pas frenimit në një barazim 1-1 nga Atletico Madrid në “Stamford Bridge”, ndërsa Roma mposhti Karabagun e Ansi Agollit 1-0 në “Olimpico” për të rrëmbyer vendin e parë në grup, falë përballjeve të drejtpërdrejta.

Spanjollët e Atleticos kaluan në avantazh në minutën e 56, kur Bakayoko dështoi të markonte Saul Niguez pas një goditjeje nga këndi, edhe pse Chelsea barazoi më pas në minutën e 75-të falë një autogoli të Stefan Saviç. Por, pavarësisht mundësive të shumta të krijuara për të fituar, “blutë” e Londrës dështuan.

Pas ndeshjes, Lampard tha se ende nuk e di se çfarë mund të japë Bakayoko, i cili u bë blerja më e shtrenjtë e mesfushës së Chelseat gjatë verës, kur erdhi nga Monaco për 40 milionë paund.

“Ai fle – tha Lampart për “BT Sport”. – Përqëndrimi i tij humbet, por në të tilla nivele, një dremitje në fushën e lojës e bën shumë më të lehtë për kundërshtarin, konkretisht Atleticon, që të shënojë. Nuk njihem me Bakayokon, por mendoj se është dokumentuar fare qartë se ai nuk është përshtatur shpejt me Chelsean dhe me futbollin anglez të Premier Leagues. Duhet ta bëjë sa më shpejt këtë gjë. Një dremitje në një ndeshje kaq të rëndësishme nuk falet, ndaj ai duhet të përmirësojë lojën e tij, megjithatë është në dorën e Antonio Contes të zgjedhë. Ndoshta Drinkëater mund të luajë shumë mirë në atë rol, gjithsesi shpresoj që Bakayoko të përmirësohet”, tha Lampard.

Shorti i fazës së 1/8-ave të Champions League do të hidhet në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, të hënën e 11 dhjetorit, në orën 12.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA