Kur përfundon mandati i Adriatik Lallës? Kryetari i Komisionit të Ligjeve është i prerë për këtë.
“Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron më 7 dhjetor 2017”, shprehet Ulsi Manja, kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve.
Kushtetuta parashikon që përfundimin e mandatit e konstaton Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, ky organ nuk është krijuar ende për mungesë kandidaturash.
Në këto kushte, socialistët thonë se përfundimi i mandatit konstatohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve.
Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike mendon ndryshe.
“Siç kanë bërë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, të çojnë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët i përzgjedhin vet, për të kompletuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Por në kushtet e boshllëkut institucional, mazhoranca mbështetet në mendimin e “Euralius” dhe “OPDAT”. Misonet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e përjashtojnë opsionin e zgjedhjes me shumicë të thjeshtë të një prokurori të përkohshëm.
Kurse Bylykbashi është kategorik, kur i referohet Kushtetutës.
“Vendimi merret nga Kuvendi me 3/5-tat e votave. Përfshirë faktin që asnjë kandidat nuk ka kaluar vettingun, që është gjithashtu një kërkesë themelore. Mazhoranca kërkoi ta zgjedhë me 36 vota në Parlament, përfshirë edhe votën e Saimir Tahirit”, tha Bylykbashi.
Vet Adriatik Llalla nuk ka bërë asnjë deklaratë. Sot për çdo boshllëk ligjor apo interpretim do të vinte në ndihmë Gjykata Kushtetuese, te dera e së cilës asnjë nuk po troket.
Top Channel