Veliaj në Itali, diskuton për fondet evropiane IPA

05/12/2017 20:28

Bashkëpunimi ndërkufitar IPA Adriatik, mblodhi në Aquila të Italisë, përfaqësues nga shumë vende të Ballkanit, por edhe kryetarin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani. I pranishëm në këtë aktivitet, Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj prezantoi përpara të pranishmeve planet e kryeqytetit shqiptar.

“Tirana sot është afishuar si një partner shumë i besuar dhe shumë cilësor kur vjen puna në implementimin e fondeve IPA dhe fondeve që vijnë nga Bashkimi Europian. Ne kemi pasur disa projekte te suksesshme, një prej tyre ka qenë shkolla Ardian Klosi, disa kopshte, disa çerdhe, blloqe të terë dhe shumë prej auditorëve”, u shpreh Veliaj.

Por pavarësisht kësaj për Veliajn, Tirana duhet të tregohet sa më agresive në përthithjen e këtyre fondeve.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur për mënyrën se si Tirana jo vetëm thith, por edhe përdor me efikasitet fondet e Bashkimit Europian, mezi pres që ne të jemi akoma më agresiv, në kuptimin e mirë të fjalës, për të sjellë fonde të huaja në Tiranë, kryesisht për të përdorur të gjithë instrumentet IPA, pra përpara anëtarësimit në BE, për t’u siguruar që Tirana është gjithmonë në avangarde dhe duhet ta pranojmë që ambicia jone është shumë më e madhe se buxhetet modeste qe ne kemi në Shqipëri”, tha Veliaj.

Programi IPA Adriatik është nga më të rëndësishmit lidhur me bashkëpunimin territorial në zonën adriatiko-joniane, me një buxhet rreth 244 milionë euro.

Top Channel