Qeveria Rama në mandatin e parë nuk ka hapuar 260 mijë vende pune, por vetëm 30 mijë, sipas INSTAT. Kështu deklaron deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat.
“Nuk është e vërtetë që në mandatin e parë qeveria e Edi Ramës hapi 260 mijë vende të reja pune. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, që kontrollohet nga qeveria, numri i të punësuarve në 4 vjet, është rreth 30 mijë. Thënë ndryshe sa 1/10-ta e premtimit të tij elektoral, tregues i një ekonomie që nuk lëviz dhe që ka përqëndruar paranë në disa duar”, tha Tabaku.
Ajo shtoi se vetëm janë shtuar taksat dhe ekonomia informale. “Gjatë qeverisjes së Edi Ramës ka vetëm dy tregues me rritje të fortë: taksat për 90 përqind të shqiptarëve dhe ekonomia informale, ku qarkullon paraja e zezë, e krimit, drogës dhe korrupsionit. Sot ne paguajmë 1,5 mld euro taksa më shumë se 5 vjet më parë. Çdo ditë mbyllen 40 biznese nga pamundësia për të mbijetuar në një treg të pabarabartë”, thotë Tabaku.
Tabaku thotë më tej se sot Shqipëria përballet me 300 mijë të larguar. “Sot ne përballemi me një fakt të pamohueshëm atë të 300 mijë shqiptarëve të larguar nga Shqipëria. Përballemi me një informalitet në rritje ku sipas Bankës Botërore 60% e të punësuarve janë informalë. Vendet e punës do të ishin rritur vërtet me 260 mijë dhe më shumë, nëse Edi Rama dhe Arben Ahmetaj nuk do të paguanin 350 milionë euro për ndërtimin e 3 fabrikave të tyre për djegien e plehrave”, përfundon Tabaku.
Top Channel