Mbingarkesa e punës me mbi 200 raste urgjencash në ditë, ka detyruar mjekët e këtij shërbimi t’i kërkojnë drejtorisë së QSUT shpërndarjen e pacientëve, duke përdorur deri diku presionin, se nëse kjo kërkesë nuk do të zgjidhej brenda 30 ditëve, do të jepnin dorëheqjen.

Por ende pa u hedhur firmat e të 12 mjekëve, letra e cila nuk arriti të shkonte as në drejtori dhe as ne ministri u publikua në media. Top Channel kontaktoi me një nga mjekët që ka firmosur këtë letër.

“Ne kemi thënë se në qoftë se nuk na zgjidhen këto që kemi kërkuar ,ne jemi gati të sakrifikojmë veten tonë për të mos rritur marzhin e gabimit. Mbas 30 ditësh sepse është shkelje e ligjit, mjeku i urgjencës me braktis vendin e punës. Ne nuk kemi dhënë dorëheqjen”, shprehet Eqerem Hasani, mjek kardiolog.

Shqetësimin për ngarkesën që krijohet në urgjencën e QSUT e ngre edhe shefi i shërbimit, Edmond Zaimi, i cili sqaron se asnjë mjek nuk ka dhënë dorëheqjen.

“Pacientët që nuk kanë nevojë të mos drejtohen në QSUT ose të shpërndahen në spitalet e rretheve”, thotë Edmond Zaimi, shef i shërbimit të urgjencës.

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë janë takuar në orët e pasdites me drejtues shërbimesh dhe drejtues të QSUT, ku është diskutuar mbi shpërndarjen e pacientëve drejt Spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe shërbimit te Traumës.

Ndërkohë në një deklaratë të QSUT theksohet mosndërprerja e punës në shërbimin e urgjencës për asnjë moment. Nga ana tjetër u kërkohet qytetarëve të drejtohet sa më pranë qendrës së tyre të banimit për shërbim mjekësor për të reduktuar vizitat e panevojshme pranë shërbimit terciar.

Top Channel