Në Darëzezë lajmi i mirë që është që prurjet e Vjosës janë zvogëluar dhe uji po tërhiqet. Lajmi i keq, është që shumë sipërfaqe toke dhe banesa janë ende nën ujë.
Familja Tafa në Hoxharë, shtëpia e së cilës i ngjan një ishulli, e ka shndërruar shtëpinë në kotec për shpendët.
Ndërsa si zgjidhje për t’u strehuar ata kanë gjetur lokalin e vogël, pak metra larg banesës, që për fat i ka shpëtuar ujit.
“6 persona po qëndrojmë këtu. I bëjmë të gjitha këtu, gatuajmë, flemë, për t’u larë nuk bëhet fjalë”, shprehet Alem Tafa, banor Hoxharë.
Shkolla e Darëzezës vazhdon të jete e mbyllur. Ndërkohë që mesditën e së martës u dha alarmi për çarjen e mundshme të argjinaturës, ndërtuar një ditë më parë nga forcat e ushtrisë.
Për banorët, jetesa në këtë zonë tashmë është e pamundur dhe ata kërkojnë nga shteti, siç i sollën aty vite më parë nga Gramshi apo qytete të tjera, t’i shpërngulin sërish, në një vend ku mos të gdhihen me frikën e përmbytjeve dhe të shkatërrimit të të gjithë investimeve të tyre.
Top Channel