Shkolla e Mesme e Bashkuar “10 korriku” në Dushk të Lushnjes edhe pse është ndërtuar në vitin 2001 sot gjendet në një situatë të mjerueshme.

Ky institucion arsimor ka probleme me tualetet, rrjetin elektrik si dhe me infrastrukturën Brenda, ku duket qartë mungesa e bankave dhe mjeteve didaktike. Veç kësaj problematike shëndeti i fëmijëve rrezikohet shumë pasi vetë shkolla i djeg mbeturinat në mungesë të koshave jashtë në oborr.

Kjo shkollë sipas drejtoreshës Alma Biti ka 20 vjet që nuk është furnizuar me banka dhe mjetet të tjera si nga ish Komuna Dushk ashtu edhe nga Bashkia e Lushnjes, e cila prej dy vjetësh ka marrë në ngarkim të gjitha shkollat e rrethit. Dyert janë jashtë funksionit madje ka klasa që nuk kanë fare, ndërsa disa të tjera janë “arnuar” me kompensata nga vetë mësuesit.

Dritaret në disa kate kanë mungesë xhamash. Rrjeti elektrik shpesh herë bën masë, pasi nuk përballon dot në dimër ngrohjen me korrent një problem i cili mund të shkaktoj edhe djegien e godinës duke rrezikuar seriozisht fëmijët dhe mësuesit. Banjot janë pa lavamanë dhe jashtë çdo standardi higjeno-sanitar. E vetmja që është në kushte më normale, mbyllet me çelës nga mësuesit, pasi përdoret vetëm prej tyre. Në shkollë mungon edhe roja gjatë ditës. Drejtoresha i është drejtuar disa herë Bashkisë së Lushnjes për ta parë këtë problematikë, por nuk ka marrë përgjigje. Kjo situatë është denoncuar për “Fiks Fare” nga prindërit.”Shkolla është skandal nga brenda. Ka dyer të cilat rrezikojnë të bien. Madje në disa klasa s’ka dyer fare.

Banjot janë skandaloze, të pista pa kushte. Kemi frikë të çojmë fëmijët aty pasi mund të marrin edhe infeksion. Shkolla s’ka roje gjatë ditës.” shprehen disa nga prindërit. Drejtoresha tha për “Fiks Fare” se i është drejtuar Bashkisë së Lushnjes dhe është në pritje që ky institucion të marrë masa.”Është problem e kemi ngritur zërin por asgjë, jemi në pritje”. Disa mësues kanë vendosur para nga xhepi i tyre dhe sëbashku me prindërit kanë blerë tavolina e banka për klasat.

Lidhur me mungesën e rojës znj. Biti tha se dy herë i është drejtuar bashkisë me shkresë, por sërish nuk është bërë asgjë. Gjithashtu drejtoresha tha se në projekt shkolla parashikohej me palestër e cila në realitet nuk duket askund. Fiks Fare ju drejtua Drejtorisë së Arsimit në Bashkinë e Lushnjës, pasi është kjo e fundit e cila investon për mirëmbajtjen e godinës.

Drejtuesi Judimr Shurdhi tha se ishte në dijeni të situatës. Ai premtoi se do të investohet për të ribërë rrjetin elektrik edhe pse fondet janë të pakta.”Ne kemi marrë masa, kemi bërë stukime dhe lyerje. Për banka dhe dyer kemi kërkuar një fond nga bashkia. Ndërsa për rrjetin elektrik do ta bëjmë nga e para pasi është amortizuar. Është e vështirë të punosh me një fond të vogël, ne kemi 28 milion lekë të vjetra në total për 107 institucione shkollore” përfundoi Shurdhi.

Top Channel