Në pritje të vendimit nëse do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, presidenti Trump ka planifikuar këtë të martë tri telefonata të rëndësishme; njëra me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tjetra me presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas dhe e fundit me Mbretin Abdullah të Jordanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Selia presidenciale e Shteteve të Bashkuara ka përfunduar tashmë planin për presidentin Trump, i cili pritet të shpallë të mërkurën se SHBA-të njohin zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit për herë të parë në histori. Një lëvizje kjo që do të përfshinte në kaos Lindjen e Mesme dhe botën arabe.
Megjithatë, korrespondentja e “CBS News”, Margaret Brennan raportoi gjatë fundjavës se Trump planifikon ende të nënshkruajë një dokument “heqjeje dorë”, që do të mbajë të palëvizur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Izrael, pra në Tel Aviv, pavarësisht premtimeve të përsëritura të tij gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe gjatë drejtimit të presidencës, për ta transferuar atë në Jeruzalem.
Afati i fundit për ta nënshkruar këtë dokument “tërheqjeje” ishte e hëna, por Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar ende nëse ai e ka bërë këtë apo jo.
Të dielën, dhëndri i presidentit, Jared Kushner, i cili ka qenë i ngarkuar me përpjekjet për rigjallërimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, tha se Trump nuk ka vendosur ende nëse do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Udhëheqësit arabë dhe myslimanë, sikurse edhe ekspertë të tjerë të kësaj zone të nxehtë, kanë paralajmëruar se njohja e Jeruzalemit do të sillte dhunë në Lindjen e Mesme dhe do të vriste me shumë mundësi negociatat e paqes mes dy rivalëve. Javën e kaluar, postet diplomatike amerikane u vunë në alarm gatishmërie, kur mësuan se presidenti po konsideronte vendimmarrjen.
Për 70 vite, Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka selinë në Tel Aviv, së bashku me përfaqësitë diplomatike të thuajse gjithë shteteve të tjera që kanë marrëdhënie me Izraelin, kjo pasi SHBA kanë dashur që të ishin negociatat e paqes izraelito-palestineze që të përcaktonin statusin përfundimtar të Jeruzalemit.
Plani origjinal i ndarjes së Palestinës, i Kombeve të Bashkuara që prej vitit 1947, bën thirrje që Jeruzalemi të jetë një qytet ndërkombëtar. Për këtë arsye, qeveritë amerikane nuk e kanë njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Top Channel