Hidrovoret në punë largojnë me shpejtësi ujërat e Vjosës

05/12/2017 14:36

Grupet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren në Novoselë për të vlerësuar dëmet që shkaktoi Lumi Vjosa në fundjavë.

Sipas kryetarit të njësisë administrative, Kenan Shakaj janë rreth 120 banesa që u zaptuan nga uji dhe rreth 1200 ha tokë e përmbytur.

Sipas Shakaj, kjo përmbytje i ngjan asaj të vitit 1970 dhe Vjosa kësaj radhe kishte më shumë prurje se dy vjet më parë.

Por furia e Vjoses këtë vit shkaktoi më pak dëme në Darzezë të Fierit, ku zyrtarët e ujitjes dhe kullimit kanë një shpjegim.

Prurjet e lumit Vjosë ishin rreth 1 metër më shumë krahasuar me prurjet e vitit 2015, por dëmet më të vogla se atë vit.

Tre hidrovoret përgjatë vijës bregdetare, dy në Darzezë dhe një në Seman mbajtën peshën kryesore gjatë përmbytjeve të ditëve të fundit. Sasia prej 7 milionë metër kub në 24 orë që tërhiqnin bënë të mundur që zona e Darzezës të mos përmbytej.

Kolektori kryesor dhe kanali nga kthesa e Darzezës deri në Frakull ishte pastruar para përmbytjeve.

“Për të pastruar një kolektor 12 km u desh një muaj e gjysmë dhe puna e 6 ekskavatorëve. Prisnim që do të vërshonte duke ruajtur nivelin në hidrovor -1.40 dhe -1.50. Të tre hidrovoret heqin një sasi uji prej 100 metër/kub ujë në sekondë”, thotë Arben Çuko, drejtor i Ujitjes dhe Kullimit Rajonal në Fier.

Ndërkohë, dëme nga përmbytja janë shkaktuar në disa familje në fshatin Povelçë, ndërsa në pjesën tjetër të njësisë administrative Dërmenas, dëmet janë kryesisht në toka dhe prodhime bujqësore.

Top Channel