Policia e Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 3 agjenci turistike si dhe po heton 4 operatorë të tjerë, të cilët nëpërmjet dokumenteve false, apo skemave të ndryshme kanë mundësuar udhëtimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufijve me qëllimin për të kërkuar azil.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije për Top Channel se po hetohen edhe shoqata që lëshojnë vërtetime false, ndërkohë që operacionet e riatdhesimit vijojnë.

Vetëm gjatë nëntorit 500 shtetas shqiptarë janë kthyer nga shtete si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Por ditët e fundit qarkulloi një lajm se azilkërkuesve shqiptarë të refuzuar do t’u ofrohet asistencë financiare, që sipas ambasadës gjermane në Tiranë, nuk është i vërtetë.

“Ndryshe nga ç’raportojnë mediat shqiptare, azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare , apo asistencën financiare për kthim”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Sipas ambasadës gjermane, azilkërkuesit e refuzuar mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre, por kthehen forcërisht në Shqipëri.

Top Channel