Arrestohet Saakashvili, mbështetësit e ‘lirojnë’ nga policia

05/12/2017 21:03

Mbështetësit e ish-presidentit gjeorgjian, Mikhail Saakashvili e liruan atë nga policia në Ukrainë, pas arrestimit të tij mbi dyshimin se ka ndihmuar një organizatë kriminale.

Saakashvili, i kërkoi mbështetësve të tij në kryeqytetin Kiev, të kërkonin hetim për presidentin Petro Poroshenko, një ish-aleat. Vetë Saakashvili u bë qytetar Ukrainës në 2015, çka u pasua me humbjen e shtetësisë gjeorgjiane të tij.

Ai u bë një kundërshtar i ashpër i Poroshenkos, të cilin e ka akuzuar se ka dështuar të luftojë korrupsionin. Me prangat në njërën dorë dhe i rrethuar nga qindra persona, Saakashvili i kërkoi mbështetësve të marshonin drejt parlamentit ukrainas.

“Ju kërkoj të nisni një protestë paqësore për të rrëzuar Poroshenkon. Ju nuk duhet të keni frikë”, tha Mikhail Saakashvili.

Zyrtarët nuk kanë bërë komente për atë që mund të konsiderohet edhe arratisje të Saakashvilit. Më herët, policë me maska e kishin arrestuar atë në shtëpinë e tij në kuadër të një operacioni për të penguar planet për ringritjen e forcave pro Kremlinit në Ukrainë.

Saakashvili dyshohet se është financuar nga një grup kriminal i lidhur me ish presidentin Viktor Janukovic dhe bazuar në akuzat që rëndojnë mbi të rrezikon një dënim prej pesë vitesh burg nëse shpallet fajtor. Më herët, rojat kombëtare dhe mbështetësit e Saakashvilit u përleshën në Kiev.

Saakashvili është momentalisht pa shtetësi pasi edhe ajo ukrainase iu hoq nga Poroshenko pas përplasjes. Ai rrezikon të ekstradohet në Gjeorgji ku akuzohet për korrupsion. Vetë ai pretendon se akuzat janë të motivuara politikisht. Më herët, Saakashvili ka shërbyer si guvernator i rajonit të Odesës, i emëruar nga Poroshenko në 2015. Para vendosjes në Ukrainë, ai ka qenë për thuajse 10 vite president i Gjeorgjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA