Në ditën e tretë të përmbytjes, disa banorë të fshatit Fitore të Novoselës janë kthyer në shtëpi, kanë nisur pastrimin, dhe tharjen e orendive shtëpiake.
Por shumë të tjerë nuk e kanë patur këtë fat: 50 banesa në fshatin Fitore të Novoselës janë ende të përmbytura. Gjatë fundjavës uji arriti deri në 1 metër e gjysmë brenda fshatit dhe banorët po presin të shohin nëse ka shpëtuar gjë.
Në shkollën e fshatit mësuesit po pastrojnë klasat, që mësimi të rifillojë.
“Do mundohemi që me mjete rrethanore ta thajmë”, shprehet drejtori i shkollës Shyqëri Aliaj.
Në zemër të katastrofës që shkaktoi Vjosa në fundjavë ishte fshati Povelce, i njësisë administrative Dërmenas.
Dëmet janë të mëdha; në bagëti, prodhime bujqësore dhe ushqim për kafshët. Fermerët thonë se bagëtitë që i shpëtuan përmbytjes shumë shpejt do të ngordhin, pasi nuk kanë ushqim.
E njëjta situata ishte këtë të hënë edhe në fshatrat e njësive administrative Frakull, Levan dhe Dermenas të rrethit të Fierit.
Top Channel