Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim këtë të hënë me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM 2017), me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe rajoni e më gjerë.

Për herë të parë në këtë kurs kanë marrë pjesë përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, e gjithashtu nga Italia, Greqia, Turqia, Rumania dhe Gjeorgjia.

Presidenti përsëriti në takim urimin për 105-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe respektin më të lartë shtetëror për sakrificat e burrave e grave në uniformë, në mbrojtje të Atdheut e interesave kombëtare. Por, edhe kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

Ilir Meta ndau vlerësimin se Shqipëria, si anëtare e NATO-s do të përmbushë me përkushtim e profesionalizëm, angazhimet, detyrimet dhe objektivat përballë sfidave të sigurisë.

Presidenti shqiptar theksoi se ky kurs do të vijojë të shërbejë për të promovuar vlerat e besueshmërisë, bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta drejt së ardhmes europiane dhe euroatlantike të vendeve të rajonit.

Top Channel