Zhduken 3 dosje korrupsioni; Elbasan, denoncimi nga prokurorja e çështjes

03/12/2017 19:48

Tre dosje me materiale për hetimin e korrupsionit janë zhdukur nga Prokuroria e Elbasanit. Ajo që ka bërë denoncimin është Prokurorja Amanda Xhaferri, e cila kishte konstatuar që në zyrën e saj ishin marrë dokumente.

Por policia nuk konstatoi dhunim të zyrës së prokurores dhe deklaroi se as dera dhe as dritarja nuk janë hapur forcërisht.

Specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan, referuan në Prokurorinë e Tiranës materialet për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “zhdukje ose humbje e fashikullit”.

Në njoftimin e policisë mësohet se fashikujt e zhdukur ishin materiale të task forcës për hetimin e korrupsionit. Ndërkohë misterin e shton prokuroria, e cila mohon ngjarjen.

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije se nuk ka materiale të humbura dhe çdo gjë është e dokumentuar me procesverbal.

Për më tepër, të njëjtat burime i thanë Top Channel se policia nuk ka asnjë kompetencë për të shpallur moskompetencën e një çështjeje dhe t’ia kalojë atë Prokurorisë së Tiranës, siç ka bërë Policia e Elbasanit.

Një kompetencë të tillë, thonë burimet, e ka vetë prokuroria dhe gjykata. Ajo që shton dyshimet në këtë çështje është përmbajtja e materialeve të zhdukura, apo të pretenduara të tilla.

Top Channel kërkoi informacion më të detajuar nga Policia e Elbasanit për këtë përplasje kompetencash ndërinstitucionale, por nuk mori asnjë përgjigje.

Nuk jepen detaje për cilat dosje bëhet fjalë dhe cilët personazhe kanë qenë nën hetim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA