Përmbytjet/ Izolohet fshati Darzezë, rrezikohet argjinatura e Drinit në Gjoricë

03/12/2017 09:23

Në Fier dhe Vlorë vazhdojnë operacionet për të përballuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe dalja e Vjosës nga shtrati.

Përveç zonave në Vlorë, prurjet e lumit kanë përmbytur totalisht 2 fshatrat e Fierit, Darzezë dhe Povelçë, të Njësisë Administrative Dërmenas.

Si pasojë e shembjes së urës, 400 familje të Darzezës kanë mbetur të izoluara. Në ndihmë të tyre janë edhe Forcat e Ushtrisë dhe të Emergjencave Civile, të cilat në rast të përmbytjes së fshatit të bëjnë evakuimin e banorëve.

Gjatë natës së të shtunës, Forcat e Ushtrisë dhe tre mjete të Bashkisë së Fierit kanë ndërhyrë për ngritjen e argjinaturës dhe një pritë për të parandaluar depërtimin e ujit në fshat.

Ndërkohë, ka filluar puna për ndërtimin e një ure provizore pranë urës së prishur.

Në këtë zonë po operojnë edhe Forcat e Armatosura, bashkë me një ekip Emergjence të ardhur nga Kosova, të cilët po përpiqen t’ju vijnë në ndihmë të përmbyturve.

Edhe Memaliaj është prekur nga moti i keq, teksa raportohet se një helikopter i Forcave të Armatosura i ka ardhur në ndihmë një shtetasi të sëmurë, i mbetur i izoluar në fshatin Gilavë.

Edhe Bulqiza është prekur nga reshjet e shumta të shiut, ndërsa prurjet e mëdha të Drinit po rrezikojnë dëmtimin e argjinaturës pranë fshatit Gjoricë.

Pritet ndërhyrja e ushtrisë gjatë ditës së sotme, për të përforcuar argjinaturën e lumit, në këtë fshat, e dëmtuar nga reshjet e shumta të natës së kaluar dhe që rrezikon daljen e Drinit nga shtrati.

Top Channel