Nën pushtetin e ujit. Përmbytje në Jug, shira “normalë” në Veri

03/12/2017 17:06

Mbi 200 familje vijojnë të jenë nën ujë në fshatin Fitore të Vlorës, i cili u përmbyt tërësisht nga rreshjet e dendura të shiut.

Edhe në Novoselë situata vijon të jetë e rënduar. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është i kënaqur më punën në terren të forcave të policisë dhe të efektivëve të ardhur nga Kosova. Një pjesë e banorëve janë rikthyer në shtëpi dhe kanë nisur pastrimin e banesave nga balta.

Por banorët thotë se prurjet e lumit Vjosë këtë vit kanë qënë si kurrë më parë.

Edhe pse niveli I Vjosës ka rënë, do të duhen ditë që jeta e këtyre familjeve, shtëpitë e të cilëve janë akoma nën ujë, të kthehet në normalitet. Edhe atëherë, me frikën se kur do të ndodhë përmbytja e radhës.

2.GJIROKASTËR

Në qarkun e Gjirokastrës të gjitha akset nacionale janë të kalueshme. Vështirësitë janë prezente në lidhjen e disa fshatrave në Dropull me rrugën kryesore pas dëmtimit apo shembjes së të paktën 5 urave. Forca të ushtrisë janë duke riparuar dëmet për të rivendosur qarkullimin. Edhe pse ndërmarrja e shërbimeve ka nisur të pastrojë inertet nga përrenjtë malorë, dëmet në rrugë e kanalizime pritet të vlerësohen javën e ardhshme.

3.KORÇË

Në Korçë situata paraqitet e normalizuar. Nënstacioni i Zëmblakut, që u përmbyt të shtunën, i është rikthyer funksionit të tij dhe puna vazhdon pa probleme.

Në fushën e Maliqit, sipas të dhënave të para, si pasojë e vërshimit të ujërave të lumit Devoll, janë përmbytur dhjetëra ha tokë, ndërkohë që vazhdon të mbetet e bllokuar rruga Zëmblak-Pustec pasi ura e Zëmblakut është jashtë funksion.

Problem ka zona e Devollit, që ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e dëmtimit të transformatorit, si edhe segmenti Lozhan-Moglicë, ku janë rregjistruar rreshkitje dherash, që kane sjellë bllokimin e këtij aksi.

4.LUSHNJE

Në rrethin e Lushnjës ka disa qindra ha tokë nën ujë, në fushën e Tërbufit. Fermerët ankohen se thellësia e ujit është rritur në krahasim me një ditë më parë dhe se e kanë të pamundur të ndërhyrjnë. Sipas fermerëv, nëse kjo situatë zgjat edhe në ditët në vijim, të gjithë të mbjellat në tokat e tyre do të kalben.

5.ELBASAN

Rreshjet e shiut në Elbasan kanë shkaktuar rrëshkitje të dherave, të cilat kanë izoluar fshatrat Tunje, Lenie dhe Gribë në Gramsh, ndërsa në Librazhd mbeten ende të bllokuara fshatrat Librazhd Katund, Lunik e Zdranjsh, ku mjetet e bashkive janë angazhuar për hapjen e rrugëve rurale.

6.LEZHË

Lezha ishte këtë herë jashtë hartës së përmbytjeve. Hidrovoret janë në punë me kapacitet mesatar dhe nuk janë regjistruar probleme të furnizimit me energji elektrike.

Prefekti i Qarkut bën me dije se nga nesër mësimi do të nisë normalisht.

7.SHKODËR

Këtë herë fati ka qenë më Shkodrën. E përmbytur disa herë vitet e kaluara, këto ditë situata në Shkodër u paraqit e qetë. Lumenjtë rrjedhin normalisht, pa rrezikuar të dalin nga shtrati.

Top Channel