Edhe Presidenti Ilir Meta është duke ndjekur ng afër situatën e krijuar në vend nga moti i keq. Ai ishte këtë të shtunë në zonën më të prekur nga përmbytjet, Ferrasin e Fierit.

Presidenti Meta, cili shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku u takua me përfaqësues të institucioneve të angazhuara në operacionin për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.

Duke folur për mediat Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova.

“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën, – tha z. Meta.

Presidenti kërkoi evidentimin e dëmve dhe vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e situatës.

“Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, theksoi Presidenti Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA