Në mbledhjen e Komitetit për Koordinimin dhe Menaxhimin e Emergjencave Civile, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se jo vetëm reshjet e dendura janë fajtore për situatën e krijuar.

Xhafaj tha se në terren, Policia e Shtetit ka vënë re ndërtime paleje dhe ndërhyrje të paligjshme në lumenj e kanalizime.

Ministri i Brendshëm tha se të gjitha strukturat duhet të reagojnë pas tejkalimit të krizës.

“Shqetësim ka qenë bllokimi i autostradës Durrës-Tiranës, por dëshiroj të ngre një problem që meriton vëmendjen post menaxhim të gjendjes. Në shumë akse ka ndërhyrje të paligjshme dhe ka ndërtime pa leje, ndërhyrje në shtratet e lumenjve dhe kanalizimet. Në autostradë u rrezikun jetë njerëzish. Mendoj që pas kësaj situate ministria, policia, emergjencat, IKMT duhet të bëjnë një vëzhgim për përgjegjësitë administrative dhe penale. Këta subjekte duhet të mbajnë përgjegjësinë për këtë që ndodhi”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri tha se OSHEE ndodhet në krye të detyrës dhe këtë e ka bërë edhe me kosto njerëzore, ndërsa shtoi se investimet e bëra me linjat dytësore të furnizimit për hidrovoret kanë dhënë rezultat duke shmangur përmbytjet në shumë zona.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha spitalet dhe qendrat spitalore janë në gatishmëri të plotë, ndërkohë që specialistët e shëndetësisë janë duke monitoruar edhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit tha se 191 institucione arsimore kanë pësuar dëmtime nga reshjet, ku më të prekura janë qarqet e Gjirokastrës dhe Korçës.

Ajo tha se situata po monitorohet dhe se ministria do të njoftojë në vazhdim në lidhje me procesin mësimor të hënën. Nikolla vlerësoi gjithashtu edhe rolin e Prefektëve të rinj. Ajo tha se profili ushtarak i tyre ka dhënë rezultate në menaxhimin e krizës.

Top Channel