Viktor Zhusti ka zbuluar rolin më të mirë në karrierën e tij kinematografike.
I ftuar në “Pasdite në Top Channel”, aktori i famshëm tha se “roli më i plotë” i tij ka qenë ai te filmi “Malet me blerim mbuluar”.
“Është film i menduar fort mirë dhe i xhiruar bukur. Ka konflikt real dhe të besueshëm”, deklaroi Zhusti, i cili shtoi se regjisori që i ka lënë më shumë mbresa është Dhimitër Anagnosti.
Viktor Zhusti tregoi gjithashtu se karriera e tij nisi në qytetin e Gjirokastrës: “Në Gjirokastër kishte ardhur Prokop Mima për një shfaqje. Kërkonte një djalë “rrugaç” për një rol dhe unë isha i tillë. Ma besuan mua atë rol e më pas më propozoi të shkoja në Lice. Kështu nisi karriera ime”.
Në lidhje me debatin nëse duhen transmetuar apo jo filmat e komunizmit, Zhusti i ka idetë e qarta: “Nuk mund të ndalohet një ushqim që konsumohet në mënyrë të shëndetshme nga njerëzit. Të rinjtë akoma i shikojnë dhe i komentojnë ata filma. Janë pjesë e historisë, e kujtesës dhe botës së brendshme të një populli. Një diskutim i tillë më duket i nxituar dhe i qëllimshëm”.
Top Channel