Turqia lëshon mandatarresti për ish-agjentin e CIA-s

01/12/2017 19:36

Kryeprokurori i Turqisë nxori një mandatarresti për ish-oficerin e CIA-s, Graham Fuller.

Autoritetet turke akuzojnë Fullerin, ish-zëvendëskryetar të Këshillit Kombëtar amerikan të Inteligjencës, se ka lidhje me klerikun mysliman Fetullah Gulen.

Ky i fundit fajësohet nga Turqia për grushtin e dështuar të shtetit të vitit të shkuar.

Në mandatin e arrestit të ish-oficerit të CIA-s shkruhet se, ai tentoi që të rrëzojë qeverinë turke.

Prej muajsh, mediet raportonin se Fuller ishte në shënjestër dhe dyshohet nga autoritetet turke për grushtin e shtetit, por vetëm me këtë mandat formalizohet qëndrimi turk.

Vet Graham Fuller ka mohuar çdo përfshirje të tij dhe akuzat specifike i cilësoi qesharake.

Ndërkohë, analistët thonë se akuzat ndaj Fuller, pa i dalë në mbrojtje ish-agjentit të CIA-s, duket se kanë shije hakmarrjeje, pasi në Shtetet e Bashkuara po gjykohet një bankier turk dhe një tregtar ari, persona shumë të afërt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Amerika e akuzon bankierin se shkeli sanksionet amerikane duke bërë biznes me Iranin, e dënimi i tij duket i sigurtë, pasi tregtari i arit e ka pranuar fajin dhe tregoi në gjyq se Erdogan ishte në dijeni.

Së fundmi, raportet mes Uashingtonit dhe Ankarasë janë tensionuar ndjeshëm, ndaj dhe duket se goditjet reciproke do të vazhdojnë ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA