Pallati i Kremlinit do të jetë skena e shortit të Botërorit të vitit 2018, që do të hidhet në orën 16:00. Të pranishëm në ceremoninë e përgatitur me këtë rast do të jenë trajnerët e të 32 skuadrave pjesëmarrëse, me përjashtim të atyre të Uruguajit dhe Australisë, ndërkohë që ceremonia do të drejtohet nga Gary Lineker dhe gazetarja ruse Maria Komandnaya.

Edhe pse duhen 6 muaj deri në fillimin e Kupës së Botës, parashikimet për fituesin e mundshëm të kompeticionit kanë filluar të bëhen. Më të favorizuarat shihen Gjermania dhe Brazili, të ndjekura nga Franca dhe Spanja.

Nuk mund të mos përfshihen mes skuadrave pretendente Argjentina e Messit, finaliste e “Brazil 2014”, Portugalia e Cristiano Ronaldos, kampione e Europës në fuqi, apo Belgjika e talenteve si Hazard e De Bruyne.

Mungesat e mëdha të këtij Botërori janë padyshim Italia e Buffonit, e eliminuar në mënyrë të papritur në fazën e “play off”-it nga Suedia; Holanda e Robben, apo Kili, fitues i Kupës së Amerikës.

Në shortin që do të hidhet në Moskë do të shfaqet për herë të parë emri i skuadrës debutuese, Panamasë, si dhe ai i Perusë, që kthehet në fazën finale të një Botërori pas 36 vitesh. Do të bëjë debutimin e saj edhe Islanda, skuadra zbulim edhe në Europianin e Francës, që u shndërrua në një prej përfaqësueseve më të dashura në botën e futbollit.

Golashënuesi më i mirë në historinë e botërorëve, Miroslav Klose do të jetë ai që do të ketë detyrën për të sjellë trofeun e Kupës së Botës në skenën e Pallatit të Kremlinit. Botërori 2018 do të nisë më 14 korrik, me ndeshjen hapëse që do të luhet në stadiumin “Luzhniki”, e do të mbyllet më 15 korrik, po në “Luzhniki”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA