Shërbimi Federal Informativ gjerman, BND e ka përqendruar vëmendjen gjithnjë e më shumë në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, bën të ditur Berliner Zeitung. Shtetet e brishta të rajonit janë shqetësim për BND.

Kështu e nis shkrimin e saj Deutsche Welle, ku thotë se BND është më shumë i shqetësuar për tendencat islamike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dy javë më parë, shefi i BND, Bruno Kahl foli për lindjen e shteteve të dobëta në rajon, të cilat mund të preken lehtë nga luftërat civile dhe që mund t’u shërbejnë terroristëve si zonë tërheqjeje ose zonë operative.

Qindra vetë nga Bosnja dhe shtete të tjera me popullatë kryesisht myslimane në rajon, vijon shkrimi i DW, si Kosovë dhe Shqipëri kanë shkuar vitet e fundit në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me milicët xhihadistë.

Në fjalën e tij në Fondacionin e afërt me CSU, Hanns-Seidel Kahl tha konkretisht:

“Indeksi i shteteve të brishta për 2016 ofron në këtë kuadër një pamje pak inkurajuese nga vështrimi gjerman. Në të, shtete si Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia grupohen në kategoritë Warning deri High Warning (paralajmërim deri paralajmërim i fortë)”.

Kahl sqaroi më tej në fjalën e tij se kjo nuk do të thotë se në këto vende ka pësuar kolaps sistemi shtetëror. Por se “me sa duket ai gjithsesi nuk u përgjigjet standardeve të Evropës Perëndimore e Qendrore”.

 

Top Channel