Situata turbullohet në Botërorin e Formula 1. Vetëm përpara pak ditësh Ferrari nëpërmjet presidentit Sergio Marchionne kërcënoi me largim nga ky kampionat. Tani është Mercedes që po e merr në konsideratë të ndërmarrë një hap të tillë, gjë që u konfirmua nga vetë Toto Wolff për “Kronen Zeitung”.
“Nuk po shoh asnjë plan të përpiluar mire”, tha Wolff. “Askush nuk e di se në çfarë drejtimi po shkojmë. Të gjithë e dimë se fitimet kanë rënë në mënyrë drastike. nëse nuk do të kuptojmë se për çfarë duhet Formula 1 do të diskutojmë nëse do t’ia vlejë qëndrimi në këtë kampionat apo jo”.
Ferrari dhe Mercedes janë shfaqur të pakënaqura me planet e Liberty Medias për motorë me çmim më të ulët dhe më të zhurmshëm, me disa pjesë të standardizuara për të zëvendësuar njësitë aktuale të energjisë dhe të gjitha këto ndryshime janë parashikuar të bëhen, duke nisur nga viti 2021. Po kështu, Liberty ka përpiluar edhe një plan për një shpërndarje më të ekuilibruar të ardhurave nga të drejtat televizive.
Kërcënimet me largim të Ferrarit dhe Mercedes nga Formula 1 janë në kontrast të plotë me rikthimin në këtë kampionat të markave mitike si Alfa Romeo, që këtë mesjave bëri të ditur nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi me Sauber, për të qenë sponsori kryesor i skuadër svicerane, duke nisur që nga viti 2018.
Top Channel