Negociatat, Bushati: Presim hapjen në 2018

01/12/2017 21:25

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi për Zërin e Amerikës se pritshmëritë e Shqipërisë për 2018-n janë të larta sa i takon ecurisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Ne presim që 2018-a të jetë një vit përcaktues përsa i përket perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të kurorëzohet, natyrisht, me një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë”, deklaroi ai.

Bushati thotë se Shqipëria është e përqendruar në detyrat e saj.

“Reforma në drejtësi, ligji i vetingut dhe mënyra se si do të zbatohet ligji i vetingut, është përparësia e përparësive, por ne jemi të fokusuar gjithashtu në zbatimin e prioriteteve kyçe, që në fakt nuk kanë lidhje thjesht me ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian, por edhe me procesin e demokratizimit dhe këtu dua të nënvizoj luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit konsolidimin e arritjeve në administratën publike dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”, vijoi ai.

Sipas kryediplomatit shqiptar, pranvera është afati kur Vettingu të japë efekte të prekshme.

“Përsa i përket niveleve të larta të gjyqësorit dhe të prokurorisë; shpresojmë shumë që kjo punë të shërbejë si një bazë e mirë edhe për nivelet e tjera të gjyqësorit dhe prokurorisë”, vijoi ai.

Top Channel