Nëse një aktor e shohim të ndryshojë nga filmi në film, të realizojë me mjeshtëri karaktere të ndryshme, të lëvizë në kohë me mimikën e tij, kjo nuk ndodh vetëm falë aftësive të tij, por edhe në sajë të një pune të madhe që bëhet në prapaskenë.
E sa i takon trasformimit të imazhit është një punë e madhe që kryhet në Departamentin e Grimit.
Sot, të bësh grim është e thjeshtë, por të ndërtosh një karakter nga fillimi në fund, ta trasformosh, t’i japësh identitet, sigurisht që do një mjeshtëri të madhe. Kjo mjeshtëri erdhi në vendin tonë në vitet ‘60, atëherë kur u kthye grupi i parë i studentëve të përgatitur në vendet e bllokut të Lindjes. Ata, jo vetëm do të punonin në filmat e Knostudios, por njëkohësisht do të përgatisnin edhe brezat e ardhshëm të këtij profesioni.
Edmond Lako është një nga piktorët-grimierë më të njohur shqiptarë. Për 40 vite ai ka punuar, ka trasformuar, i ka dhënë jetë qindra personazheve. Ishte viti 1977 kur për herë të parë nisi punë si piktor-grimier pranë të vetmit stacion televiziv të kohës, RTSH. Për 4 dekada do të realizonte personazhe në film dhe në teatër.
Në studion e tij, që më shumë ngjason me një laborator, çdo ditë punohet për të krijuar personazhe të reja. Diku një parrukë, diku tjetër një palë vetulla dhe gjithandej materiale pune.
Dëshira për këtë profesion, pasioni me të cilin realizon personazhet, e ka bërë që ende të vazhdojë të punojë si ditën e parë. Madje, këtë pasion, ashtu heshturazi ia ka trashëguar edhe nipit të tij, Marlinit, i cili prej 7 vitesh punon përkrah xhaxhait.
“Vija për të bërë foto me aktorët në fillim. Duke qëndruar prapa kuintave, nisa të pëlqeja edhe zanatin. Kështu ka nisur gjithçka”, tregon Marlini.
Por, për Marlin, më tërheqës është krijimi i parrukeve dhe ka arritur të marrë shumë nga Edmondi këto vite. Është një punë tejet e veçantë ajo e ndërtimit të një parruke, do fantazi e më së shumti durim.
Marli është grimieri i shfaqjes më të madhe televizive të humorit në Shqipëri, “Portokallisë”. Aty, së bashku me ndihmën e Edmondit, ka realizuar personazhe nga më të ndryshmit e më të dashurit për publikun. Në studion e punës gjenden të gjitha parruket e krijuara. Sigurisht, të vendosura sipas një sistemi që vetë ata e kanë krijuar për lehtësi pune.
Është një punë në ekip kjo që zhvillohet mes Edmondit dhe Marlit. Një punë që çdo të dielë në mbrëmje i jep publikut personazhet e tyre të transformuar në mënyra nga më të ndryshmet.
Top Channel