Botërori i Rusisë do të jetë më i miri në historinë e futbollit. Për këtë është shprehur i bindur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë një konference për shtyp.
“Misioni ynë është të organizojmë Botërorin më të mirë në histori dhe unë jam i bindur se ai i Rusisë do të jetë i tillë”, tha Infantino. “Do të jetë një eksperiencë e veçantë dhe unike, pasi është vënë re përfshirja e të gjithëve, që nga presidenti rus Putin, e deri te vullnetarët”.
Ndeshja e hapjes së Botërorit, ashtu sikurse edhe finalja e madhe, do të luhet në stadiumin “Luzhniki”, impiant të cilin Infantino e cilësoi fantastik. Infantino kërkoi që të lihen mënjanë paragjykimet ndaj Rusisë apo edhe botës arabe, pasi edhe Perëndimi ka bërë gjëra për të cilat duhet të turpërohet.
“Futbolli është magji dhe pasion. Mund t’i ndryshojë shumë gjërat dhe ka fuqinë që t’i bëjë njerëzit të ndiejnë dhe mësojnë gjëra të ndryshme për të gjitha vendet. Të gjithë do të jenë të mirëpritur në Rusi”, tha ai.
Infantino e mori drejtimin e FIFA-s pas largimit të Blatterit, për shkak të skandalit të korrupsionit që mbërtheu këtë institucion, e ai nuk mund të rrinte pa e prekur këtë temë delikate.
“Është e rëndësishme që të përmendësh faktin që FIFA, në të gjitha hetimet e kryera penale ka rezultuar të jetë një viktimë”, tha Infantino. “Disa persona përfituan nga ky institucion. Falënderoj autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe Zvicrës, që nxorën në dritë korrupsionin në futboll, por duhet vënë një vijë ndarëse mes të kaluarës korruptive dhe të ardhmes së FIFA-s”, përfundoi ai.
Top Channel