41 shtetas të tjerë janë riatdhesuar nga Franca dhe Gjermania.

Sipas zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda, “vetëm gjatë muajit nëntor janë riatdhesuar 500 shtetas shqiptarë të kthyer nga shtete si Franca, Belgjika dhe Gjermania”.

“Sigurisht. numri është në rritje, operacionet e riatdhesimit dhe kthimit në atdhe të shtetasve shqiptarë janë në rritje, pasi kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë kanë shansin zero për t’u pranuar. E theksoj sërish që Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe mundësitë për shtetasit shqiptarë për të kërkuar azil janë zero. Por ndërkohë, Policia e Shtetit po punon edhe në një plan tjetër, përveç forcimit të masave të kontrollit kufitar, të cilat janë shumë të rëndësishme. Policia e Shtetit po merret edhe me investigimin e disa operatorëve turistikë apo individëve të cilët nëpërmjet dokumenteve false kanë mundësuar udhëtimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllimin për të kërkuar azil. Gjithashtu, po heton edhe për ata shtetas të cilët shtyn individë, pra shtetas shqiptarë për të kërkuar azil. Kemi një numër operatorësh turistikë të cilët ne i kemi hetuar dhe dosjet përkatëse i kemi dërguar në Prokurori. Policia do të vazhdojë punën e saj në këtë drejtim”, tha Voda.

“Ministria e Brendshme, në bashkëpunim edhe me organizatën ndërkombëtare IOM po punon në një projekt në të gjithë Shqipërinë. Një projekt të shtrirë në të 12 qarqet e vendit, ku logoja është “Zgjidhni mundësinë dhe jo të drejtën për të kërkuar azil”. Besoj se pas gjithë këtyre operacioneve të riatdhesimit, numri të madh të shtetasve shqiptarë të kthyer në territorin e Shqipërisë, është i qartë mesazhi se nuk ka asnjë mundësi që shtetasit shqiptar të gjejnë rrugën më të lehtë për të migruar, atë të kërkimit të azilit. Pra, nuk është e mundur”, shtoi Voda.

Top Channel