Reshjet “bien” në Kuvend, Basha “shkurton” amendamentet. Rama: Jemi në gatishmëri!

30/11/2017 19:05

Në Parlament diskutohen projektligjet për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe amendamentet e Partisë Demokratike, por situata e krijuar në vend nga reshjet, nuk mbeti jashtë debatit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha propozoi shkurtimin e prezantimit të amendamenteve nga deputetët e PD në Kuvend, që qeveria dhe deputetët të shkojnë në terren pranë zonave të përmbytura.

Për shkak të situatës, Basha tha se seanca duhet përshpejtuar që ministrat dhe kryeministrit të gjenden në terren

Kryetari i PD tha se kishte informacion se në zona të tëra të Shkodrës, në Anë të Malit, në Gur të Zi dhe në zona të tjera mungon totalisht shërbimi shëndetësor. Në Kamëz ka njerëz të izoluar, tha Basha, ndërsa në QSUT ka përmbytje si asnjëherë në 27 vjet.

Në përgjigjen e tij, Rama tha se të gjitha strukturat dhe institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor janë në gatishmëri të plotë.

“Janë të angazhuara të gjitha strukturat, po ashtu edhe sa i përket aspektit të shërbimit shëndetësor, aty ku është i disponueshëm është në gatishmëri të plotë”, tha Rama.

Kryeministri thotë se masat dhe gatishmëria janë marrë prej një jave, fill pas parashikimeve të mbërritura në lidhje me kushtet e motit.

Top Channel