Parlamenti Rural, takim për politikat në ndihmë të bujqësisë

30/11/2017 00:00

Për tre ditë, në Tiranë është mbajtur takimi i Parlamentit Rural, një organizim i fermerëve, organizatave jo fitimprurëse, agjencive shtetërore për bujqësinë si dhe Universiteti Bujqësor.

Diskutimet ishin për politikat në ndihmë të zonave rurale. Bujqësia, tha ministri Niko Peleshi, është sektori më i madh i ekonomisë shqiptare dhe qeveria po fokusohet mbi mënyra të reja të nxitjes së saj.

“Tokën e fragmentuam dhe e parcelizuam. I krijuam vështirësi shumë të madhe vetes, po të shtojmë këtu edhe emocionin negativ që vjen sa herë përmendet fjala koperativë. Konsolidimin e tokës e bëmë një nga sfidat më të mëdha dhe më të vështira”, deklaroi Peleshi.

Vëmendje të madhe në takimin e Parlamentit Rural mori edhe fjalimi i një blegtoreje nga Mirdita.

“Kristina, një bashkëfshatare e imja, shet e ulur në rrugë. Nëse e pyesni Kristinën se çfarë do nga shteti, ajo thotë ujë dhe rrugë. Unë do i shtoja kërkesave të saj edhe shkolla e qendra shëndetësore”, tha gruaja e përlotur.

Top Channel