Kryeministrja britanike Theresa May tha se, Donald Trump kishte gabuar pasi kishte shpërndarë postimet e një grupi britanik të së djathtës ekstreme.
Por, ajo nënvizoi se marrëdhënia speciale mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara është në interes të të dyja vendeve dhe duhet të vijojë të mbetet e tillë.
Ajo madje refuzoi thirrjet për të anuluar një vizitë shtetërore të presidentit amerikan.
“Një ftesë për një vizitë shtetërore është paraqitur dhe është pranuar. Ne duhet që të përcaktojmë tani një datë”, tha May.
E pyetur për postimet e Trump, ajo tha:
“Fakti që ne punojmë së bashku do të thotë se nuk kemi frikë ta themi, kur mendojmë se Shtetet e Bashkuara kanë gabuar, dhe sigurisht të jemi të qartë me ta. Unë jam shumë e qartë, kur them se shpërndarja e postimeve të ‘Britain First’ është e gabuar”.
Të mërkurën, Trump shpërndau në “Twitter” 3 video të postuara nga grupi britanik i ekstremit të djathtë. Kur zëdhënësi i “Downing Street” tha se ai kishte gabuar që e kishte bërë këtë, Trump reagoi:
“Theresa May, mos u fokuso tek unë! Fokusohu te terrorizmi radikal islamik në Britaninë e Madhe. Ne jemi mirë!”.
Të enjten në mëngjes, në Dhomën e Komunëve në Britani kishte një mori reagimesh, nga dënimet e ripostimit të Trump e deri te kërkesat për anulimin e vizitës së pritshme të tij. Madje, kishte edhe nga ata ligjvënës që sugjeruan se Trump duhej të akuzohej për nxitje të urrejtjes raciale, kur të vizitonte Britaninë e Madhe.
Top Channel